VIDEO INFORMACIONE
Çka konsiderohet ndihmë shtetërore?
Ndihmë shtetërore çdo shpenzim aktual, i mundshëm, apo reduktim i të ardhurave të shtetit, i dhënë në çfarëdo forme nga ana e dhënësit ose që mund t’i atribuohen shtetit, e cila drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë shtrembëron ose rrezikon ta shtrembërojë konkurrencën duke favorizuar përfitues të caktuar të ndihmës shtetërore ose prodhime të mallrave dhe shërbimeve të caktuara, dhe që bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Dhënës potencial të ndihmës shtetërore janë të gjitha organet e autorizuara të administratës qendrore dhe të qeverisjes lokale, ndërmarrjet publike, apo ndonjë autoritet tjetër që vepron në emër të shtetit dhe jep ndihmë shtetërore.
Neni 3 (1.1) i Ligjit 05/L-100 përcakton katër kritere të cilat duhet të përmbushen për të konsideruar se ndihma shtetërore është e pranishme. Ju mund të përcaktoni nëse politikat tuaja në institucione i plotësojnë këto kritere duke i bërë këto katër pyetje:
1. A favorizon ndihma që planifikoni entitete/ndërmarrje/biznese/organizata të caktuara, apo prodhimin e mallrave të caktuara?
2. A ofrohet ndihma përmes burimeve shtetërore?
3. A shtrembëron apo kërcënon të shtrembërojë ndihma e planifikuar konkurrencën?
4. A ndikon kjo ndihmë në tregtinë brenda dhe jashtë vendit?
Nëse jeni absolutisht të sigurt që një ose më shumë se një nga këto kritere nuk përmbushet, atëherë nuk kemi të bëjmë me Ndihmë Shtetërore.
Ndihma Shtetërore e paautorizuar (nga institucionet që kanë mandatin për ta bërë këtë) është e kundërligjshme (Ligji 05/L-100, neni 3 (1.6)), përveç ndihmës De Minimis. Këto janë pasojat për dhënien e një ndihme të tillë:
1. Pagesat e ndihmave dhe skemat mund të pezullohen
2. Firmat/ndërmarrjet është e mundur se duhet t’i paguajnë shtetit prapa ndihmën e pranuar + kamatën e përcaktuar
3. Politikat e dhënësve të ndihmës është e mundur se duhet të ndryshohen
4. Legjislacioni që i paraprinë ndihmës së dhënë mund të ketë nevojë të ndryshohet
5. Përfituesit e ndihmës mund të paditen nga një konkurrent tjetër në treg për dëmet e shkaktuara
Rregullat e Ndihmës Shtetërore veprojnë për të krijuar një konkurrencë të ndershme për kompanitë në Kosovë, rajon dhe BE. Zbatimi i tyre do të thotë që konkurrentët në shtetet e tjera, rajon dhe BE, nuk mund të marrin subvencione të paligjshme të Shtetit të cilat do të kërcënonin të shtrembërojnë konkurrencën. Konkurrenca e hapur dhe e drejtë është e dobishme për të dy – konsumatorët dhe bizneset – si dhe rritjen ekonomike afatgjate.
Disa shembuj:
Grantet shtetërore; Falja/shtyrja e kamatës; Falja/shtyrja e tatimeve; Garancitë e shtetit; Subvencionet direkte; Ofrimi i mallrave dhe shërbimeve shtetërore me kushte preferenciale; Kamatat preferenciale; Garancitë për kreditë sidomos me kushte preferenciale; Garancitë për dividenta; Blerja e tokës ose objekteve me kushte preferenciale; Dëmshpërblimet për humbjet operative; Transferi i kapitalit; Shtyrja e inkasimit të kontributeve fiskale dhe sociale; Asistenca për kompanitë për të realizuar projekte mjedisore; Ndihma për një ndërmarrje publike që të përgatitet për privatizim; Legjislacioni për të mbrojtur ose garantuar aksionet e tregut; Partneritetet publike dhe private dhe kontratat jo të hapura dhe me procedura jo konkurrues.