Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH) në takimin e rregullt të 4-të për sivjet, të mbajtur më datë 30.04.2021, ka marrë vendim për inicimin e procedurës formale hetimore konform nenit 16 (6) të Ligjit të Ndihmës Shtetërore 05/L-100 (LNSH) në lidhje me ndihmën që Qeveria e Kosovës (e përfaqësuar përmes Komitetit të Partneritetit Publiko Privat) ka dhënë për operatorin privat të ANP Adem Jashari, në Qershor 2020.
Vendimi për fillimin e procedurës formale hetimore Nr. 03/2021 (I qasshëm: https://knsh-rks.net/vendimet/ ) është marrë për të vërtetuar pretendimet se ndihma që ka dhënë Komiteti i Partneritetit Publiko Privat i udhëhequr nga Ministria e Financave, është ndihmë e keqpërdorur (neni 3 (1.12) I LNSH) pasi që e njëjta është shfrytëzuar nga përfituesi i ndihmës shtetërore (LKIA) në kundërshtim me autorizimin e Komisionit sipas vendimit Nr. 18/2020 (i qasshëm: https://knsh-rks.net/download/vendimi-nr-18-2020/?wpdmdl=726&refresh=607440c9d00e61618231497).
Në kontekstin e ndihmës shtetërore të lidhur me COVID/19, dhe për të adresuar cështjet me likuiditetin, Qeveria e Kosovës hoqi dorë përkohësisht nga e drejta e saj për të inkasuar një të hyrë sic është tarifa vjetore koncesionare që operatori privat i ANP, sipas marrëveshjes, do të duhej ta paguante për Qeverinë. Komisioni i Ndihmës Shtetërore në dhjetorin e vitit 2020 duke shqyrtuar këtë rast ex post dhe me qëllim që të njëjtin ta bënte të përputhshëm me rregullat e ndihmës shtetërore – e autorizojë me disa kushte që duhej të plotësoheshin brenda një periudhe të caktuar 3 mujore, nga ana e dhënësit dhe përfituesit të ndihmës.
Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka gjetur se kushtet e vendosura në kuadër të vendimit nuk kanë filluar të zbatohen ende, rrjedhimisht përmes vendimit të sotëm konform dispozitave ligjore të lidhura me revokimin e ndihmës, fton dhënësin, përfituesin e ndihmës dhe të gjithë akterët e tjerë, të dorëzojnë informata në lidhje me këtë pretendim brenda 30 dite pune, nga dita e këtij vendimi.