Me kërkesën e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Komisioni i Ndihmës Shtetërore kishte filluar një hetim në vitin 2020, rreth ndihmës që kishte dhënë Qeveria e Kosovës (2015) për prodhuesin e energjisë në Kosovë – KEK – në formën e kredive me normë të subvencionuar të interesit. Sekretariati në kërkesën e tij pretendonte se ndihma e dhënë përbënte ndihmë shtetërore dhe kërkonte nga autoritetet vendore të hetonin përputhshmërinë e dhënies së kësaj ndihme me rregullat e ndihmës shtetërore.
Komisioni në përgjigje të kësaj kërkese ka hetuar masën në fjalë dhe fillimisht ka konstatuar se masa e ndihmës përbën ndihmë shtetërore në kuptimin e Ligjit të Ndihmës Shtetërore ndërsa përgjatë po të njëjtit hetim ka konstatuar se rasti ka të bëjë me ndihmë individuale/ad hoc (sipas përkufizimit të ligjit) duke qenë se nga kjo masë përfitonte një ndërmarrje e vetme – KEK (prandaj ka përjashtuar që kjo të jetë një skemë e ndihmës).
KEK përfitoi nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Financave në vitin 2015 përmes masës me titull “Marrëveshja për Konsolidim të Kredive për Investime Kapitale në Minierën e Re të Sibocit Jugperëndimor dhe Marrëveshja për Konsolidimin e Kredive për investimet në Termocentralin e KEK-ut”. Përmes kësaj u riprogramuan gjashtë kreditë ekzistuese për KEK (nga viti 2008-2010) si dhe Qeveria fali interesin dhe kamatë-vonesat e akumuluara në këto hua të cilat ndërmarrja kishte vështirësi financiare për t’i kthyer në kohë. KEK në këtë rast dhe përmes kësaj marrëveshje kishte përfituar në vlerë prej 38 milionë euro.
Komisioni i Ndihmës Shtetërore bazuar në Ligjin e Ndihmës Shtetërore (2017) vëren se Komisionit i kërkohet të urdhërojë përshtatje (aty ku aplikohet) të gjitha skemave të ndihmës shtetërore që kanë hyrë në fuqi para fillimit të zbatimit të këtij ligji, dhe përmes nenit 19 është lënë jashtë këtij obligimi ligjor shqyrtimi i përputhshmërisë me rregullat e ndihmës shtetërore i ndihmës së dhënë individuale (para 2017) – sic është rasti me ndihmën dhënë KEK. Me fjalë të tjera, Komisioni ka vërejtur se ndihma individuale e dhënë para vitit 2017 është jashtë fushëveprimit të ligjit rrjedhimisht nuk ka mandat të marrë vendim për përputhshmërinë në lidhje me të.
Autoritetet e ndihmës shtetërore në Kosovë janë të parat në rajon që ndërmorren një hetim të kërkur nga një palë sic është rasti me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, pasi ky i fundit të njëjtën kërkesë ka pasur edhe për palët tjera kontraktuese (fqinjët tanë që kanë dhënë ndihmë të ngjashme në vite), por që ende nuk kanë inicuar dhe ose përfunduar hetime të ngjashme.
Vendimi i plotë i KNSH në lidhje me këtë rast do të jetë i qasshëm në ditët në vijim me nr. 04/2021.