Komisioni i Ndihmës Shtetërore nxjerr vendim për masat individuale të ndihmës nga Qeveria e Republikës së Kosovës drejtuar ANP “Adem Jashari”

Prishtinë, 11 Janar 2020

Komisioni i Ndihmës Shtetërore në dy mbledhje të ndara (më 30 dhjetor 2020 dhe 8 Janar 2021) ka shqyrtuar dhe ka vendosur për skemat e ndihmës të njoftuar nga Ministria e Financave për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, përkatësisht operatorin privat, Limak Kosovo International Aeroport.

Në raste të ndara, Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka vendosur ta AUTORIZOJË ME KUSHTE masën 1 të ndihmës shtetërore “Shtyrja e pagesës së kësteve tre-mujore të tarifës vjetore të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës – deri në fillim të vitit 2021”, me dhënës Komitetin e Partneritetit Publiko Privat (tutje KPPP), të udhëhequr nga Ministria e Financave.

Kushtet e vendosura nga Komisioni duhet të adresohen brenda 3 muajve nga dita e vendimit. Kjo masë e ndihmës për ANP është vënë në zbatim në bazë të vendimit 05/2020 të datës 02.06.2020 të Komitetit PPP dhe merr formën e shtyrjes së pagesës së kësteve të tarifës koncesionare për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Vlera totale e kësteve të shtyra është mbi 10 mil € ndërsa plani i kthimit të 3 kësteve të shtyra të tarifës së koncesionit, parasheh që pagesa e fundit të ndodhë në fillim të korrikut 2021 (d.m.th. pak më shumë se 1 vit).

Komisioni ka konstatuar se masa duhet të përmbushë kushtet e një kategorie të veçantë të ndihmës që është ndihma në formën e një kredie me norma të subvencionuara të interesit, në kuadër të Kornizës së Përkohshme të BE-së për ndihmën shtetërore duke e aplikuar atë direkt – në mungesë të një rregullore vendore që do të trajtonte këto çështje dhe do të nxirrej nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Masa e ndihmës për ANP mund të përvetësohet si një ndihmë e tillë nga pikëpamja ekonomike, prandaj dhe Komisioni ka zbatuar në analogji parimet dhe kushtet e parashikuara me Kornizën e Përkohshme.

Qeveria e Republikës së Kosovës, me këtë masë ka vepruar ngjashëm, sikur kanë vepruar pronarët e tjerë publikë të infrastrukturës aeroportuale me partnerët privat ose koncesionarët, në zonën e BE-së, duke shtyrë të drejtën e saj për të mbledhur tarifën e koncesionit në kohën e paracaktuar.

Qeveria e Republikës së Kosovës – Komiteti PPP, në mënyrë efektive ka shtyrë të drejtën e saj në resurset e shtetit për periudhën për të cilën ka vendosur të zgjasë shtyrja e kësteve për pagesë të koncesionimit. Kjo masë është shqyrtuar dhe vendosur ex post duke qenë se e njëjta është vënë në zbatim pa vendim paraprak të Komisionit të Ndihmës Shtetërore.

Komisioni i Ndihmës Shtetërore po ashtu ka shqyrtuar në një takim të ndarë të datës 08.01.2021  dhe vendosur se masa 2 “Vendimi i KPPP më 19.12.2020 për ndryshimin e neneve 9.1.11 dhe 9.5.6 të Marrëveshjes PPP nr. PPP-09-001-611 për të lejuar disponueshmerinë e parave të gatshme nga të dy llogaritë e rezervës (llogaria e mirëmbajtjes dhe përmirësimit / zgjerimit të cilat do të mbulohen më garanci bankare”, nuk përbën NDIHMË SHTETËRORE në kuptimin e nenit 3 (1.1) të Ligjit për Ndihmën Shtetërore Nr. 05/L-100.

Përmes aprovimit të këtyre ndryshime nga qeveria është lejuar që operatori privat i ANP të tërheqë nga Llogaria Rezervë e Mirëmbajtjes dhe e Zgjerimit mjete të cilat në të dy fondet derdhen, menaxhohen dhe mbahen nga operatori privat i ANP me destinimin përdorimi sipas marrëveshjes PPP, ndërsa qeveria ka lejuar këtë ndryshim të përkohshëm deri në fund të 2021, për të adresuar likuiditetin e ANP.

Komisioni ka konstatuar se masa në fjalë dështon të përmbushë në kumulativ testin e katër kritereve bazë për të përcaktuar se e njëjta përbën ndihmë shtetërore dhe rrjedhimisht nuk ka shqyrtuar përputhshmërinë e saj me Ligjin e Ndihmës Shtetërore.

Komisioni, ndërkaq për masën 3: “Kërkesa e datës 04.12.2020 për marrjen e pëlqimit për amendamentimin nr. 1 të marrëveshjes tre palëshe të kredisë të datës 28.01.2011”, në bazë të informacionit në dispozicion ka vendosur se masa në shqyrtim, përkatësisht Amendamenti nr.1, nuk parashehë ndihmë të re shtetërore në formë të garancisë apo sigurisë ligjore e cila është ofruar me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes direkte (2011) në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës, operatorit privat të ANP – LKIA si dhe huadhënësit (banka) për kredinë në lidhje me ndërtimin e terminalit të ANP.

Rrjedhimisht, Komisioni konsideron se është jashtë fushëveprimit të nenit 19 të Ligjit të Ndihmës Shtetërore, duke qenë se masa 3 është ndihmë shtetërore individuale (nuk është skemë) ekzistuese (nga 2011) , dhe kësisoj është jashtë mandatit të tij të konstatojë përputhshmërinë e saj me ligjin e ndihmës shtetërore i cili është vënë në zbatim nga Shkurti 2017.

Komisioni ka nxjerrë vendimin bazuar në informatat e palëve rrjedhimisht partnerit publik dhe atij privat të ANP të cilët kanë konfirmuar se kushtet bazë të marrëveshjes së vitit 2011, nuk kanë ndryshuar me amendamentin e propozuar, dhe se garancia e ofruar (nga Qeveria e Republikës së Kosovës) sipas Marrëveshjes Direkte 2011 për përfituesin LKIA përfshinë edhe Amendamentin nr.1 (subjekt i këtij shqyrtimi). Të dy palët  konfirmuan se me përjashtim të zgjatjes së afatit të pagesës për 3 këste të kredisë në fjalë, që do të involvojë një normë të shtuar interesi, kjo masë nuk parashehë ndryshime të tjera të cilat do të konsideroheshin ndihmë e re shtetërore nga këndvështrimi i Komisionit të Ndihmës Shtetërore.

Masat e ndihmës si më lartë janë vendosur dhe shqyrtuar në kontekstin e ndihmës që shteti ka dhënë me qëllim të lehtësimit të situatës së rënduar financiare të ANP si rezultat i rënies së aktivitetit ekonomik me rastin e uljes përkatësisht ndëprerjes totale të fluturimeve gjatë një periudhe kohore për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Kërkesat e operatorit privat janë bërë duke iu referuar dispozitave të marrëveshjes PPP dhe aktivizimit të pjesës që lidhet me ngjarjet e shkaktuara nga forca madhore.

Komisioni i Ndihmës Shtetërore, me këtë rast shprehë keqardhjen dhe shqetësimin për faktin se edhe sot pas gati 9 muaj që nga fillimi i pandemisë, Qeveria së Republikës së Kosovës nuk ka nxjerrë një rregullore për të trajtuar ndihmën shtetërore në kontekstin e pandemisë (ngjashëm sikur disa nga fqinjët dhe përtej) me qëllim të krijimit të qartësisë ligjore dhe rregullit në këtë sferë. Për më tepër Komisioni shprehë keqardhjen se disa nga dhënësit e ndihmës shtetërore në Republikën e Kosovës (ministritë, komunat, agjencitë ) dizajnojnë masa të ndihmës për të ndihmuar ekonominë e vendit duke shmangur rregullat e ndihmës shtetërore dhe ligjin në fuqi, rrjedhimisht vënë para rrezikut të gjithë përfituesit e tyre të cilët në këtë formë mund të jenë përfitues të ndihmës së kundërligjshme.