Kush mund të konsiderohet dhënës i ndihmës shtetërore?

Dhënës potencial të ndihmës shtetërore janë të gjitha organet e autorizuara të administratës qendrore dhe të qeverisjes lokale, ndërmarrjet publike, apo ndonjë autoritet tjetër që vepron në emër të shtetit dhe jep ndihmë shtetërore.

Si mund të vërejmë nëse kemi të bëjmë me ndihmë shtetërore?

Neni 3 (1.1) i Ligjit 05/L-100 përcakton katër kritere të cilat duhet të përmbushen për të konsideruar se ndihma shtetërore është e pranishme. Ju mund të përcaktoni nëse politikat tuaja në institucione i plotësojnë këto kritere duke i bërë këto katër pyetje:
1. A favorizon ndihma që planifikoni entitete/ndërmarrje/biznese/organizata të caktuara, apo prodhimin e mallrave të caktuara?
2. A ofrohet ndihma përmes burimeve shtetërore?
3. A shtrembëron apo kërcënon të shtrembërojë ndihma e planifikuar konkurrencën?
4. A ndikon kjo ndihmë në tregtinë brenda dhe jashtë vendit?

Nëse jeni absolutisht të sigurt që një ose më shumë se një nga këto kritere nuk përmbushet, atëherë nuk kemi të bëjmë me Ndihmë Shtetërore.

Pse duhet t'i zbatojmë rregullat e Ndihmës Shtetërore? Pse të bezdisemi?

Ndihma Shtetërore e paautorizuar (nga institucionet që kanë mandatin për ta bërë këtë) është e kundërligjshme (Ligji 05/L-100, neni 3 (1.6)), përveç ndihmës De Minimis. Këto janë pasojat për dhënien e një ndihme të tillë:
1. Pagesat e ndihmave dhe skemat mund të pezullohen
2. Firmat/ndërmarrjet është e mundur se duhet t’i paguajnë shtetit prapa ndihmën e pranuar + kamatën e përcaktuar
3. Politikat e dhënësve të ndihmës është e mundur se duhet të ndryshohen
4. Legjislacioni që i paraprinë ndihmës së dhënë mund të ketë nevojë të ndryshohet
5. Përfituesit e ndihmës mund të paditen nga një konkurrent tjetër në treg për dëmet e shkaktuara
Rregullat e Ndihmës Shtetërore veprojnë për të krijuar një konkurrencë të ndershme për kompanitë në Kosovë, rajon dhe BE. Zbatimi i tyre do të thotë që konkurrentët në shtetet e tjera, rajon dhe BE, nuk mund të marrin subvencione të paligjshme të Shtetit të cilat do të kërcënonin të shtrembërojnë konkurrencën. Konkurrenca e hapur dhe e drejtë është e dobishme për të dy – konsumatorët dhe bizneset – si dhe rritjen ekonomike afatgjate.

Format e ndihmës shtetërore në kuptimin e nenit 3 (1.1) të Ligjit 05/L-100.

Disa shembuj:

Grantet shtetërore; Falja/shtyrja e kamatës; Falja/shtyrja e tatimeve; Garancitë e shtetit; Subvencionet direkte; Ofrimi i mallrave dhe shërbimeve shtetërore me kushte preferenciale; Kamatat preferenciale; Garancitë për kreditë sidomos me kushte preferenciale; Garancitë për dividenta; Blerja e tokës ose objekteve me kushte preferenciale; Dëmshpërblimet për humbjet operative; Transferi i kapitalit; Shtyrja e inkasimit të kontributeve fiskale dhe sociale; Asistenca për kompanitë për të realizuar projekte mjedisore; Ndihma për një ndërmarrje publike që të përgatitet për privatizim; Legjislacioni për të mbrojtur ose garantuar aksionet e tregut; Partneritetet publike dhe private dhe kontratat jo të hapura dhe me procedura jo konkurrues.

Çfarë është ndihma de minimis? Si mund ta dalloj një ndihmë de minimis?

Termi “de minimis” do të thotë diçka me rëndësi të vogël, ndihma në shuma të vogla. Ndërsa Ligji për Ndihmë Shtetërore kërkon njoftimin paraprak të shumicës së llojeve të ndihmave Shtetërore (Departamenti për Ndihmë Shtetërore i Ministrisë së Financave) dhe ndalon zbatimin para miratimit të tyre nga Komisioni për Ndihmë Shtetërore, ndihma për një ndërmarrje të vetme e cila është më pak 200,000 € (ose 100,000 € në rastin e ndërmarrjeve të transportit) për një periudhë 3 vjeçare klasifikohet si ndihmë de minimis. Meqenëse ndihma de minimis supozohet të ketë efekte të kufizuara në konkurrencë dhe tregti, ajo monitorohet në vend se të kontrollohet nën sistemin rregullativ të ndihmës shtetërore të Kosovës.

Neni 5 i Ligjit për Ndihmë Shtetërore përcakton konceptin e ndihmës de minimis dhe Rregullorja e Qeverisë (QRK) Nr. 04/2020 mbi Ndihmën De minimis shtjellon më tej konceptin dhe përcakton detajet për çështje të tilla si monitorimi dhe masat mbrojtëse rregullative në lidhje me ndihmën de minimis.

A konsiderohet ndihmë shtetërore dhe a kërkon ndonjë aprovim paraprak?

Sipas Ligjit për Ndihmë Shtetërore dhe Rregullores së Qeverisë 2020, ndihma minimale e dhënë për një ndërmarrje të vetme për një periudhë tre vjeçare e cila nuk kalon një 200,000 € (ose 100,000 € në rastin e ndërmarrjeve të transportit), konsiderohet se nuk plotëson kriteret e ndihmës shtetërore nga neni 3 i ligjit (i cili përcakton “ndihmën shtetërore”) dhe, rrjedhimisht, nuk përbën ndihmë shtetërore brenda kuptimit të ligjit.

Ndihma de minimis nuk i nënshtrohet njoftimit dhe autorizimit paraprak nga Komisioni për Ndihmë Shtetërore – me kusht që të jepet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo përfshinë, në veçanti, Rregulloren e Qeverisë (QRK) Nr. 04/2020 mbi Ndihmën De minimis. Sidoqoftë, ka disa përjashtime të përcaktuara në Rregullore në përputhje me standardet e BE-së. Për shembull, ndihma de minimis mund të mos jepet për blerjen e automjeteve të transportit ose për të ndihmuar vendosjen e operacioneve të eksportit. Në mënyrë të barabartë, dhe kjo njihet si “transparencë e ndihmës de minimis”, çdo ndihmë që nuk mund të llogaritet si një shumë e barasvlershme me një grant të drejtpërdrejtë përjashtohet. Kjo sepse është e pamundur të sigurohet që niveli i pragut të respektohet nëse një llogaritje e vetme nuk mund të bëhet. Në raste të tilla, një masë që mund të duket se është ndihmë de minimis nuk është ndihmë de minimis dhe i nënshtrohet rregullave të përgjithshme për ndihmën shtetërore të përcaktuara me ligj.

Cilat janë rregullat e ndihmës de-minimis? Ku mund t’i gjej?

Ligji për Ndihmë Shtetërore përcakton kërkesat e përgjithshme në lidhje me ndihmën de minimis. Në mënyrë të veçantë, neni 7 i ligjit përcakton që ndihma de minimis nuk përbën ndihmë shtetërore dhe ndihma e tillë nuk i nënshtrohet njoftimit dhe autorizimit të Komisionit, me kusht që të jepet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Neni parasheh që kriteret, fushëveprimi dhe procedurat për dhënien e ndihmës “de minimis” do të përcaktohen në aktet nënligjore. Konkretisht, rregullat e hollësishme për ndihmën de minimis janë përcaktuar në Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 04/2020 mbi Ndihmën De minimis. Ajo përcakton kriteret dhe procedurat për dhënien e ndihmës de minimis. Kjo Rregullore transpozon dispozitat e Rregullores së Komisionit Evropian Nr. 1407 të vitit 2013[1].

[1] Rregullorja e Komisionit (BE) Nr. 1407/2013 e datës 18 dhjetor 2013 mbi zbatimin e neneve 107 dhe 108 të Traktatit mbi funksionimin e Bashkimit Evropian për ndihmën de minimis, OJ L 352 i datës 24 dhjetor 2013.

Kur do të përdoret Rregullorja e Qeverisë për Ndihmën De Minimis?

Rregullorja e Qeverisë Nr.04/2020 për Ndihmën De minimis  përcakton kriteret dhe procedurat për dhënien e ndihmës de minimis. Rregullorja do të përdoret kur dhënësit e ndihmës japin ndihmë de minimis. Kjo rregullore do të përdoret gjithashtu nga autoritetet e zbatimit të ndihmës shtetërore për regjistrimin dhe monitorimin e ndihmës de minimis.

A i referohet ndihma de-minimis vetëm granteve dhe subvencioneve?

Ndihma de minimis mund të merr shumë forma; përfshirë grantet, huatë, garancitë, përjashtimet nga taksat etj. Sidoqoftë, për t’u kualifikuar si ndihmë de minimis, vlera e një mase e cila nuk është një grant duhet të jetë në gjendje të llogaritet si një shumë e barasvlershme me një grant (dhe para se tatimet përkatëse të zbriten). Kjo është e njohur si transparencë e ndihmës de minimis – duke këmbëngulur se ajo duhet të jetë e aftë të shprehet si e barasvlershme me grantin bruto (nëse nuk është një grant).

Rregullorja e Qeverisë Nr. 04/2020 mbi Ndihmën De minimis ofron ndihmë se si të bëhet kjo llogaritje në disa raste më komplekse, p.sh. në lidhje me garancitë publike.

Pse duhet të jemi në përputhje me rregullat e ndihmës de-minimis pasi kjo nuk konsiderohet ndihmë shtetërore?

Ndihma de minimis në përputhje me Rregulloren e Qeverisë Nr. 04/2020 mbi Ndihmën De minimis si në aspektin e substancës ashtu edhe procedurës konsiderohet se nuk është ndihmë shtetërore brenda kuptimit të Ligjit për Ndihmë Shtetërore. Në terma realë, ky është një përjashtim nga proceset e njoftimit paraprak dhe aprovimit të kontrollit të ndihmës shtetërore sipas Ligjit për Ndihmë Shtetërore.

Sipas ligjit të BE, i cili është bazë e Rregullores, edhe shuma të vogla të ndihmës mund të shtrembërojnë konkurrencën dhe tregtinë. Me sasi të vogla të ndihmës, konkurrenca mund të shtrembërohet në një masë më të vogël, por ndihma përsëri mund të ndikojë në konkurrencë dhe tregti. Rrjedhimisht, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian ka vendosur se çështja nëse ndihma do të konsiderohet të ketë ndikim thelbësor ndaj tregtisë apo jo është më pak çështje sasie sesa e rrethanave të çështjes. Kjo do të thotë që edhe ndihma me sasi të vogla mund të ndikojë në tregtinë ndërmjet Shteteve Anëtare ku ekziston një konkurrencë e fortë në sektorin në fjalë.[1] Kjo qasje u konfirmua më tej nga Rasti Altmark kur Gjykata vendosi se nuk ka asnjë prag ose përqindje nën të cilën mund të konsiderohet se tregtia midis Shteteve Anëtare nuk ndikohet dhe se shuma relativisht e vogël e ndihmës ose madhësia relativisht e vogël e ndërmarrjes që e merr atë nuk përjashton si të tillë mundësinë që tregtia midis Shteteve Anëtare mund të ndikohet[2].

Sipas Ligjit për Ndihmë Shtetërore, ndihma minimale nuk plotëson të gjitha kriteret e ndihmës Shtetërore, dhe ofruesit e ndihmës mund të japin një ndihmë të tillë nëse plotësohen disa kërkesa. Sidoqoftë, dhënësit e shumave shumë të kufizuara të ndihmës duhet ende të sigurojnë pajtueshmëri me rregullat e ndihmës de minimis (të substancës dhe procedurës) të përcaktuara në Rregulloren për ndihmën de minimis. Në rastet kur ndihma nuk është në përputhje me këto rregulla, një ndihmë e tillë nuk konsiderohet të jetë ndihmë de minimis. Si pasojë, një ndihmë e tillë do të përbënte ndihmë shtetërore brenda kuptimit të ligjit dhe duhet t’i njoftohet Departamentit për Ndihmë Shtetërore dhe të aprovohet nga Komisioni për Ndihmë Shtetërore. Ndihma shtetërore mund të hyjë në fuqi vetëm kur Komisioni për Ndihmë Shtetërore ka miratuar një vendim pozitiv.

Prandaj, pajtueshmëria me Rregulloren Nr. 044/2020 ofron disa përparësi (veçanërisht zbatimi i shpejtë) kur dhënësi i ndihmës është në pajtim me rregulloren.

[1] Rasti 259/85: Franca kundër Komisionit [1987] ECR 4393, paragrafi 24, Rasti C-303/88, Itali kundër Komisionit [1990] ECR 1-1433, paragrafi 27.

[2] Rasti C-280/00: Altmark Trans GmbH dhe Regierungspräsidium Magdeburg v Nahverkehrsgesellschaft Altmark GmbH dhe Oberbundesanëalt beim Bundesverëaltungsgericht, aktgjykimi i datës 24 korrik 2003, ECLI: EU: C: 2003: 415.

 

A mund të t’i shpëtojmë pasojave për mos respektim të rregullave? Pse është kaq e rëndësishme t'i përmbahemi rregullave?

Injorimi i rregullave të ndihmës de minimis dhe prezantimi i një mase mbështetëse do të thotë që masa mund të përbëjë ndihmë të pa njoftuar. Ndihma e pa njoftuar që gjithashtu konstatohet se nuk përputhet me Ligjin për Ndihmë Shtetërore është e paligjshme dhe duhet të ri-paguhet me interes (rikthimi i ndihmës së paligjshme shtetërore) dhe masa e ndihmës gjithashtu duhet të ndërpritet. Kjo është pasoja më serioze e një ndihme që jepet në mënyrë të paligjshme dhe që nuk është në pajtim me Ligjin për Ndihmë Shtetërore. Mosrespektimi i rregullave mbart gjithashtu rrezikun që realizimi i duhur i objektivave të politikës së qeverisë përmes masave të ndihmës të dështojë dhe të diskreditohet. Për më tepër, dhënësit e ndihmës mund të paditen në gjykatë. Dhënësit e ndihmës dhe përfituesit gjithashtu mund të paditen nga konkurrentët për dëmet.

Çfarë është një ndërmarrje dhe një ndërmarrje e vetme?

Që ndihma shtetërore të bjerë brenda fushëveprimit të ligjit të konkurrencës, ajo duhet t’i jepet një ndërmarrjeje. Një ndërmarrje është çdo entitet, pavarësisht nga statusi i saj juridik apo mënyra se si financohet, që ushtron një aktivitet ekonomik Aktivitet ekonomik nënkupton çdo aktivitet që konsiston në ofrimin e mallrave ose shërbimeve në një treg të veçantë. Sipas Rregullores Nr. 044/2020, një grup i ndërmarrjeve mund të konsiderohet si një ndërmarrje e vetme për qëllimet e marrjes së ndihmës shtetërore ose ndihmës de minimis. Në mënyrë të veçantë, për qëllim të llogaritjes së shumës së lejuar të ndihmës duhet të përfshihen të gjitha ndërmarrjet që i përkasin grupit, si dhe ndihma e dhënë atyre. Kjo është për të shmangur krijimin e kompanive të tjera përkatëse për ndarjen e pragut maksimal.

Sipas rregullores, një ‘ndërmarrje e vetme’ – është një ndërmarrje që përfshinë të gjitha ndërmarrjet që kanë të paktën një nga marrëdhëniet e mëposhtme me njëra-tjetrën (ose përmes ndërmarrjeve të tjera):

  • Një ndërmarrje ka shumicën e të drejtave të votës të aksionarëve ose anëtarëve në një ndërmarrje tjetër;
  • Një ndërmarrje ka të drejtë të emërojë ose heqë shumicën e anëtarëve të organit administrativ, menaxhues ose mbikëqyrës të një ndërmarrjeje tjetër;
  • Një ndërmarrje ka të drejtë të ushtrojë një ndikim dominues mbi një ndërmarrje tjetër në përputhje me një kontratë të lidhur me atë ndërmarrje ose me një dispozitë në memorandumin e saj ose në statutin e saj;
  • Një ndërmarrje, e cila është aksionare ose anëtare në një ndërmarrje tjetër, kontrollon e vetme, në përputhje me një marrëveshje me aksionarët e tjerë ose anëtarët e asaj ndërmarrjeje, shumicën e të drejtave të votës të aksionarëve ose anëtarëve në atë ndërmarrje.
Kush është përgjegjës për pajtueshmërinë me pragun de-minimis?

Ministria përkatëse, Komuna ose autoriteti tjetër publik (si dhënës i ndihmës) është kryesisht përgjegjës për të siguruar pajtueshmërinë me kufijtë dhe procedurat përkatëse në fuqi në lidhje me ndihmën de minimis. Dhënësit e ndihmës duhet të sigurojnë që shuma nuk do të tejkalojë pragun e ndihmës de minimis. Kur japin ndihmë de minimis, dhënësit duhet të sigurojnë që rregullat e grumbullimit të ndihmës të respektohen, d.m.th që të gjitha burimet e ndihmës tjetër të llogariten në lidhje me kufijtë e pragut për ndihmën de minimis. Në praktikë, kjo do të thotë që ofruesve të ndihmës u kërkohet të insistojnë që përfituesit t’u sigurojnë atyre informacion me shkrim për çdo ndihmë tjetër de minimis të marrë gjatë periudhës 3-vjeçare. Dhënësit gjithashtu duhet të sigurojnë që, nëse ndërmarrja po merr ndihmë sipas një skeme të njoftuar të ndihmës shtetërore në lidhje me të njëjtat kosto, ndihma de minimis nuk do ta marrë ndihmën e njoftuar shtetërore mbi kufijtë e lejuar për atë masë të veçantë të ndihmës shtetërore.

Përfituesi ose përfituesi i mundshëm është gjithashtu përgjegjës për bashkëpunim të plotë dhe të ndershëm me dhënësin e ndihmës në konfirmimin e natyrës de minimis të një mase ndihme; përfshirë, për shembull, dhënien e informacione mbi ndihmën e marrë nga ai dhe kompanitë përkatëse. Përfundimisht, nëse shkelen rregullat për ndihmën de minimis, përfituesi mund të ketë përgjegjësi më të mëdha p.sh. për ta kthyer ndihmën, për tu përballë me procedura ligjore, etj.

Cilat janë pragjeve të ndihmës de-minimis ?

Sipas Rregullores së Qeverisë Nr. 04/2020 mbi Ndihmën De minimis, ndihma mund të jepet deri në një kufi maksimal prej 200,000 € për një ndërmarrje të vetme për një periudhë tre vjeçare, ose 100,000 € në rastin e ndihmës për transportin rrugor të mallrave (por duke përjashtuar ndihmën për blerjen e kamionëve). Kufijtë maksimal të përcaktuar në Rregullore zbatohen pavarësisht nga forma e ndihmës de minimis ose objektiva i ndjekur. Periudha prej tre viteve fiskale duhet të përcaktohet duke iu referuar viteve fiskale të përdorura nga ndërmarrja në Kosovë. Për më tepër, edhe pse nuk është rregulluar në mënyrë specifike në ligjin kombëtar të Kosovës, ndihma deri në €500,000 mund të jepen si ndihmë de minimis në rrethanat e veçanta të kompensimit për sigurimin e Shërbimeve me Interes të Përgjithshëm Ekonomik (ShIPE).

Çfarë ndodh nëse ndihma tejkalon pragun e Rregullores për ndihmën de-minimis?

Nëse ndihma e dhënë tejkalon pragun përkatës të ndihmës de minimis, e gjithë shuma e ndihmës nuk konsiderohet të jetë më ndihmë de minimis. Si rrjedhojë, ndihma që tejkalon kufirin përkatës de minimis i nënshtrohet njoftimit paraprak dhe miratimit të Komisionit për Ndihmë Shtetërore. Kur ndihma e tillë nuk njoftohet paraprakisht dhe vihet në fuqi, Departamentit për Ndihmë Shtetërore i kërkohet të fillojë procedurën e Ligjit për Ndihmë Shtetërore lidhur me ndihmën e paligjshme.

Cili është roli i Komisionit për Ndihmë Shtetërore në lidhje me ndihmën de-minimis?

Meqenëse ndihma de minimis nuk konsiderohet të jetë ndihmë shtetërore brenda kuptimit të Ligjit për ndihmë shtetërore, nuk ka nevojë të njoftohet paraprakisht dhe të presë miratimin nga Komisioni për Ndihmë Shtetërore. Prandaj, normalisht nuk ka asnjë rol për Komisionin për Ndihmë Shtetërore.

Sidoqoftë, në disa rrethana (dhe në interes të sigurisë juridike) një dhënës i ndihmës mund të zgjedhë të njoftojë një masë të ndihmës de minimis për tu siguruar që në fakt është ndihmë de minimis. Në ato rrethana, Komisioni në mënyrë tipike do të merrte një vendim për këtë pikë specifike.

A kanë të drejtë ndërmarrjet në vështirësi të marrin ndihmë de-minimis?

Kompanitë që kalojnë nëpër vështirësi financiare nuk përjashtohen nga fushëveprimi i Rregullores dhe iu lejohet të marrin ndihmë de minimis.

Çfarë është ndihma transparente?

Ndihma transparente nënkupton ndihmën kur është e mundur të llogaritet saktësisht ekuivalenti i grantit bruto të ndihmës ex ante pa ndonjë nevojë për të ndërmarrë një vlerësim të rrezikut. Mbështetja de minimis mund të ketë forma të ndryshme. Sidoqoftë, për të lejuar një llogaritje të vetme në lidhje me kufirin e pragut të ndihmës de minimis, shumat maksimale të ndihmës duhet të shprehen si një grant në para. Rregullorja përcakton që grantet dhe subvencionet me interes konsiderohen si transparente. Injektimet me kapital dhe masat e financimit të rrezikut janë transparente nëse plotësohen disa kushte. Dispozitat specifike zbatohen për huatë dhe garancitë dhe instrumentet e tjera të ndihmës.

Unë jam një OJQ, a duhet të jem në përputhje me rregullat de-minimis?

Ndihma e ofruar për OJQ-të duhet të jetë në përputhje me rregullat për ndihmë shtetërore nëse ndihma ofrohet për të mbështetur një entitet të angazhuar në aktivitet ekonomik. Rregullat për ndihmë shtetërore në përgjithësi zbatohen vetëm kur pranuesi i ndihmës shtetërore është një “ndërmarrje” e cila kryen aktivitet ekonomik. Aktivitet ekonomik nënkupton çdo aktivitet që konsiston në ofrimin e mallrave ose shërbimeve në një treg të caktuar. Një entitet që kryen aktivitete ekonomike dhe jo-ekonomike duhet të konsiderohet si një ndërmarrje vetëm në lidhje me aktivitetet ekonomike.

Nuk ka rëndësi nëse kjo ndërmarrje është krijuar për të realizuar fitime. Statusi i saj sipas ligjit kombëtar nuk është gjithashtu vendimtar. Mund të jetë një sipërmarrje, sipërmarrje e përbashkët, shoqatë, klub sportiv ose OJQ. E njëjta gjë vlen për një entitet që zyrtarisht është pjesë e administratës publike.

Meqenëse shumë OJQ në Kosovë janë të angazhuara në aktivitete ekonomike, në raste të përshtatshme, rregullat e ndihmës de minimis mund të jenë të rëndësishme për OJQ të caktuara.

Unë jam një ndërmarrje e vetme e përbërë nga tre ndërmarrje. A mundet secila nga ndërmarrjet e mia të pranojë kufirin maksimal prej 200,000 € gjatë periudhës së tre viteve fiskale?

Jo. Sipas Rregullores Nr.04/2020 për Ndihmën De minimis , ndihma mund të jepet deri në një kufi maksimal prej 200,000 € për një ndërmarrje të vetme për një periudhë tre vjeçare, ose 100,000 € në rastin e ndihmës për transportin rrugor me përjashtim të ndihmës për blerjen e automjeteve për transport rrugor.

A nënkupton ndihma de-minimis marrjen e 200,000 € nga secili institucion publik për ndërmarrje?

Jo. Pragu prej 200,000 € në lidhje me ndihmën de minimis vlen për ndihmën e marrë nga të gjitha burimet. Është e rëndësishme, pra, që dhënësit e ndihmave të marrin parasysh efektin kumulativ të ndihmës së re me çdo ndihmë të dhënë për të njëjtën ndërmarrje sipas skemave të ndryshme dhe nga burime të ndryshme.

Po sikur një ndërmarrje të marrë ndihmë de minimis nga më shumë se një burim publik, si grumbullohet ndihma?

Një shembull këtu sipas rregullave të përgjithshme të Rregullores Nr. 04/2020 mbi Ndihmën De minimis do të ishte një ndërmarrje e vetme e cila ka marrë një subvencion kredie me vlerë 10,000 në vit duke filluar nga viti 2018, një grant tjetër prej 50,000 në vitin 2019 dhe ka të drejtë të marrë një grant shtesë prej 120,000 në vitin 2020. Secila prej këtyre tre masave është ndihmë de minimis, bashkë në shumë prej gjithsej 200,000 gjatë periudhës tre vjeçare prej 2018 deri në 2020. Kjo gjithashtu do të thotë që ndihma maksimale e mëtejshme de minimis që kjo firmë mund të marrë në vitin 2021 është 20,000.

Një situatë tjetër është kur një ndërmarrje, për shembull, merr 200,000 si ndihmë në lidhje me kompensimin për ofrimin e shërbimeve me interes të përgjithshëm ekonomik. Këtu kufiri maksimal është 500,000 dhe Rregullorja lejon që ndihma e përgjithshme de minimis (p.sh. 200,000 të tjera) të shtohet në ndihmën de minimis të ShEPI me kusht që të respektohet kufiri i ndihmës de minimis të ShEPI.

Gjithashtu, nëse një firmë ka marrë ndihmë shtetërore e cila nuk është ndihmë de minimis në periudhën përkatëse tre vjeçare (tre vitet e fundit fiskale), ajo mund të marrë ndihmë de minimis shtesë përveç nëse ndihma de minimis gjithashtu lidhet me të njëjtat kosto specifike të pranueshme të mbështetura nga ndihma shtetërore e miratuar. Në atë rast, kufiri i përgjithshëm i masës së aprovuar mbetet kufiri absolut për ndihmë. 

19. Çfarë është pragu de-minimis për ndërmarrjet që kryejnë aktivitete të transportit rrugor?

Sipas Rregullores Nr. 04/2020 për Ndihmën De minimis, ndihma de minimis mund të jepet deri në një kufi maksimal prej 100,000 € në rastin e ndihmës për sektorin e transportit rrugor – por duke përjashtuar ndihmën për blerjen e automjeteve të transportit rrugor.

Si institucion dhënës, nuk jam i sigurt nëse e njëjta ndërmarrje ka marrë ndihmë nga diku tjetër. Si mund ta zbuloj atë?

Para dhënies së ndihmës, dhënësit të ndihmës i kërkohet të merr një deklaratë nga ndërmarrja  përkatëse, në formë të shkruar ose elektronike, për ndonjë ndihmë tjetër de minimis të pranuar gjatë dy viteve paraprake fiskale dhe vitin aktual fiskal (Forma e deklaratës është në Aneksin 2 të Rregullores Nr.04/2020 për Ndihmën De minimis). Përveç kësaj, nga dhënësi i ndihmës kërkohet gjithashtu, para se të japë ndihmë të re de minimis, të kërkojë informacione nga Departamenti për Ndihmë Shtetërore mbi ndihmën de minimis që i është dhënë më parë përfituesit të synuar. Një dhënës i ndihmës de minimis mund të japë ndihmë të re de minimis vetëm pasi të jetë kontrolluar që kjo nuk do të rris shumën totale të ndihmës de minimis të dhënë ndërmarrjes në fjalë në një nivel mbi kufirin maksimal përkatës të ndihmës de minimis.

Nëse një ndihmë e re për një firmë të veçantë do të kalonte kufirin de minimis, ajo ndihmë nuk është më de minimis dhe nuk duhet të jepet ose përndryshe të njoftohet paraprakisht në Departamentin për Ndihmë Shtetërore në mënyrë që të merret një vendim nga Komisioni për Ndihmë Shtetërore.

Cilat janë kërkesat e monitorimit të rregullores për dhënësit dhe përfituesit?

Rregullorja Nr. 04/2020 mbi Ndihmën De minimis kërkon që të gjitha institucionet që japin ndihmë (Ministritë, Komunat dhe autoritetet e tjera publike) të mbajnë regjistra të hollësishëm në lidhje me ndihmën de minimis të dhënë entiteteve ekonomike dhe t’i mbajnë këto regjistra për një periudhë prej 10 viteve fiskale. Në mënyrë të veçantë, kjo i referohet informacioneve në lidhje me shumat e ndihmës, dhënësve të ndihmës de minimis si dhe datave që saktësojnë se kur është dhënë ndihma. Nga ana tjetër, përfituesit e ndihmës de minimis duhet të mbajnë regjistra të saktë të secilës ndihmë de minimis të marrë; veçanërisht informacionet mbi shumën, dhënësit e ndihmave, datat e pagesës dhe qëllimin dhe mënyrën e dhënies së ndihmës de minimis. Këto regjistra gjithashtu duhet të mbahen për një periudhë prej 10 vjetësh nga data kur është marr ndihma de minimis për herë të fundit.

Departamenti për Ndihmë Shtetërore i Ministrisë së Financave është përgjegjës për monitorimin e ndihmës Shtetërore në Kosovë, përfshirë ndihmën de minimis (Ligji për Ndihmën Shtetërore, Neni 8.2). Ai mund të kërkojë informacione në lidhje me dhënien e ndihmës në çdo kohë. Për më tepër, ofruesve të ndihmës u kërkohet të raportojnë çdo vit në Departamentin (deri në fund të Marsit) për të gjitha ndihmat e dhëna në vitin e kaluar.

Cilat janë kërkesat e raportimit të Rregullores për ndihmën de minimis për dhënësit dhe përfituesit e ndihmës?

Dhënësit e ndihmës de minimis duhet të ofrojnë informacione të detajuara në Departamentin për Ndihmë Shtetërore për çdo ndihmë de minimis që i ofrohet një entiteti ekonomik. Këto informacione duhet të ofrohen brenda 15 ditëve pas dhënies së ndihmës së re de minimis. Para dhënies së ndihmës, nga dhënësi i ndihmës shtetërore kërkohet të merr një deklaratë nga ndërmarrja përkatëse, në formë të shkruar ose elektronike, për çfarëdo ndihmë tjetër de minimis të pranuar gjatë dy viteve paraprake fiskale dhe vitit aktual fiskal.

Në përgjithësi, Departamenti për Ndihmë Shtetërore i Ministrisë së Financave është përgjegjës për monitorimin e ndihmës Shtetërore në Kosovë, përfshirë ndihmën de minimis. Rrjedhimisht, ai mund të kërkojë informacione lidhur me dhënien e ndihmës (përfshirë ndihmën de minimis) në çdo kohë. Për më tepër, dhënësve të ndihmës u kërkohet t’i raportojnë çdo vit Departamentit (deri në fund të Marsit) për të gjitha ndihmat e dhëna në vitin e kaluar (përfshirë ndihmën de minimis).